Një fotografi e fundit që po qarkullon në rrjetet sociale ka nxitur reagime dhe komente të shumta në opinion. Në të shihet ministri dhe një nga figurat kryesore të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, në shoqëri me ministrin Igor Fillkov, i cili në opinion është bërë i njohur për qëndrimet e tij kritike dhe kundërshtuese ndaj përdorimit dhe avancimit të gjuhës shqipe.
Fotografia është komentuar me ironi nga shumë përdorues të rrjeteve sociale, të cilët kanë kujtuar vargjet e këngës popullore “unë me jarana”, duke aluduar për miqësinë dhe afërsinë mes politikanëve që publikisht kanë qëndrime të ndryshme për çështje të ndjeshme, siç është statusi i gjuhës shqipe në vend.
Kritikët thonë se pamje të tilla krijojnë dilema te qytetarët shqiptarë, veçanërisht kur bëhet fjalë për bashkëpunime apo marrëdhënie të afërta me figura që më herët kanë kundërshtuar zgjerimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve.
