Në ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës 2025/2026 të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, përcolli një mesazh frymëzues për studentët e sapodiplomuar, duke i inkurajuar ata të ecin përpara me guxim, të besojnë në potencialin e tyre dhe të mos dorëzohen përballë sfidave.
“Historia nuk është shkruar kurrë nga ata që zgjodhën rrugën e lehtë. Ajo është shkruar nga ata që vazhduan përpara edhe kur nuk kishin siguri dhe edhe kur nuk kishin askënd që t’u thoshte se do t’ia dilnin”, u shpreh ai.
Mesazhi qendror i fjalës së ambasadorit ishte thirrja e fortë për këmbëngulje. “Mos u dorëzoni”, përsëriti ai disa herë para të diplomuarve, duke i nxitur të mos heqin dorë kur përballen me vështirësi, kur hasin mosbesim nga të tjerët apo kur përballen me dyshimet e tyre të brendshme.
Sipas Meidanit, sfida më e madhe në jetë nuk është gara me të tjerët, por aftësia për të mos lejuar që pasiguria dhe frika të pengojnë realizimin e potencialit personal.
Duke folur për përgjegjësinë e brezit të ri, ambasadori tha se bota ka nevojë jo vetëm për profesionistë të mirë, por edhe për njerëz që ndërtojnë ura bashkëpunimi, që bashkojnë komunitete dhe që e matin suksesin me ndikimin pozitiv që lënë te të tjerët.
Ai shprehu bindjen se brezi i ri është “brezi i zhvillimit” dhe “brezi i ndryshimit”, i cili do të vendosë nëse rajoni do të ecë drejt më shumë bashkëpunimi, më shumë mundësive dhe më shumë besimit mes njerëzve.
Në fund të fjalës së tij, Meidani i ftoi të diplomuarit të hapin me guxim kapitullin e ri të jetës, të mos i pranojnë pengesat si kufij dhe të ecin përpara me dinjitet, karakter dhe besim.
“Kur të ecni përpara, merrni me vete diçka që bota ka gjithmonë nevojë: dinjitetin, mirësinë dhe besimin se e nesërmja mund dhe duhet të jetë më e mirë se e sotmja. Sepse në fund, njerëzit nuk mbahen mend për atë që fituan, por për atë që ndryshuan”, përfundoi ambasadori shqiptar.
