BDI ka rikthyer edhe një herë në vëmendje projektin e rëndësishëm të Bulevardit “Hasan Prishtina” në Shkup, duke kërkuar që ai të mos lihet në harresë dhe të realizohet urgjentisht.
Sipas përfaqësuesit Selami, për këtë projekt madhor infrastrukturore ekziston tashmë një vendim i qeverisë së kaluar, e udhëhequr nga BDI, me të cilin janë ndarë 6 milionë euro në një llogari të veçantë për ndërtimin e bulevardit. Megjithatë, pavarësisht fondeve të siguruara, projekti ende nuk ka hyrë në fazën e realizimit.
BDI akuzon se vonesat nuk janë çështje teknike, por mungesë vullneti dhe neglizhencë institucionale nga ana e pushtetit aktual në Qytetin e Shkupit dhe strukturave të lidhura me të.
Në këtë kontekst, kritikat drejtohen edhe ndaj koalicionit VLEN, i cili sipas BDI-së po dështojnë të menaxhojnë projektet kapitale dhe po mbajnë peng zhvillimin urban të kryeqytetit. Sipas tyre, premtimet për transparencë dhe efikasitet nuk po përkthehen në rezultate konkrete në terren.
BDI thekson se qytetarët e Shkupit po vazhdojnë të presin një projekt që do të lehtësonte qarkullimin dhe do të lidhte më mirë pjesët kyçe të qytetit me drejtimin për Kosovë, ndërsa fondet e dedikuara për këtë qëllim mbeten të pashfrytëzuara.
Partia kërkon që institucionet përgjegjëse të dalin me sqarime të qarta dhe të fillojnë menjëherë realizimin e projektit, duke shmangur zvarritjet politike që, sipas tyre, po e dëmtojnë drejtpërdrejt interesin e qytetarëve.
