Për herë të dytë, bilbordi i vendosur në hyrje të Shkupit është pa mbishkrim në gjuhën shqipe, duke nxitur reagime dhe pakënaqësi te qytetarët shqiptarë.
Shtrohet pyetja: pse vazhdon të mungojë gjuha shqipe në projekte të tilla publike, kur Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe gjuha shqipe gëzon status të garantuar me Kushtetutë dhe me ligj? Për shumë qytetarë, kjo nuk është thjesht një lëshim teknik, por një veprim që ngre pikëpyetje për respektimin e barazisë gjuhësore.
Kritikat drejtohen edhe ndaj udhëheqjes së Qytetit të Shkupit, me pyetjen se përse vazhdojnë të shfaqen raste ku gjuha shqipe lihet jashtë, edhe pse ajo është pjesë e rendit kushtetues të vendit.
Njëkohësisht, qytetarët presin reagim edhe nga përfaqësuesit shqiptarë në pushtet. Deri më tani nuk është parë një reagim publik lidhur me këtë rast nga zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali dhe drejtuesit e koalicionit VLEN. Shumë qytetarë kërkojnë që ata të ngrenë zërin dhe të kërkojnë respektimin e të drejtave gjuhësore të garantuara me Kushtetutë dhe ligj.
Për një shtet që ndërtohet mbi parimin e bashkëjetesës dhe barazisë, respektimi i gjuhëve zyrtare nuk duhet të jetë çështje zgjedhjeje, por detyrim institucional. Heshtja përballë rasteve të tilla vetëm sa shton pakënaqësinë dhe lë hapur pyetjen: deri kur do të vazhdojë përjashtimi i gjuhës shqipe në hapësirat publike?
