Profesori i së drejtës kushtetuese, Jeton Shasivari, i njohur si ekspert i afërt me VLEN-in, ka dalë në mbrojtje të propozimit të Qeverisë që provimi i jurisprudencës të jepet pjesërisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në gjuhën maqedonase.
Gjatë debatit në emisionin Click Plus, Shasivari insistoi se nuk bëhet fjalë për një “zgjidhje gjysmake”, por për një “zgjidhje të kombinuar”. Megjithatë, fakti që teoria do të jepet në shqip, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht, nga shumë studentë dhe njohës të çështjes konsiderohet pikërisht si një kompromis që nuk garanton përdorimin e plotë të gjuhës shqipe.
Në përpjekje për të arsyetuar këtë model, Shasivari u kthye te e kaluara, duke theksuar se që nga viti 1968 provimi shtetëror nuk është zhvilluar në gjuhën shqipe. Por kritikët vlerësojnë se krahasimi me periudhat kur të drejtat e shqiptarëve kanë qenë më të kufizuara nuk mund të shërbejë si justifikim për të mos siguruar barazi të plotë sot.
Edhe pse profesori e cilësoi këtë si zgjidhje “optimale”, mbetet pyetja se si mund të konsiderohet optimale një zgjidhje që nuk u mundëson studentëve shqiptarë ta japin të gjithë provimin në gjuhën e tyre amtare. Për shumëkënd, deklaratat e tij përfaqësojnë më shumë një mbrojtje të politikave të Qeverisë sesa një mbrojtje të parimit të barazisë gjuhësore.
