Janeva bën çfarë të dojë, VLEN hesht – nuk dihet a nga frika apo nga komoditeti i pushtetit?!

Deklaratat e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, për parimin e Badenterit kanë hapur një tjetër debat të madh për të drejtat dhe mekanizmat që garantojnë përfaqësimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Janevska e ka cilësuar parimin e Badenterit si një “mjet” dhe ka lënë të kuptohet se ai nuk duhet të zbatohet në rastet kur Qeveria vlerëson se nuk është i nevojshëm. Një qëndrim i tillë ngre pikëpyetje serioze, sidomos kur bëhet fjalë për një mekanizëm të lidhur ngushtë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe mbrojtjen e interesave të komuniteteve.

Por ajo që bie më shumë në sy është heshtja e VLEN-it.

Ku janë zëvendëskryeministrat dhe ministrat shqiptarë? Ku është reagimi i atyre që para zgjedhjeve premtonin se do të ishin zëri i shqiptarëve në Qeveri?

Janevska flet, vendos dhe sulmon mekanizmat që shqiptarët i kanë konsideruar garanci të përfaqësimit, ndërsa VLEN hesht. As kundërshtim, as përgjigje, as kërkesë për sqarim.

A është kjo heshtje nga frika për të mos prishur marrëdhëniet me partnerët e pushtetit, apo nga komoditeti i posteve qeveritare?

Sepse nëse VLEN nuk reagon pikërisht atëherë kur preken çështjet më të ndjeshme për shqiptarët, atëherë për çfarë ekziston pretendimi se përfaqëson zërin e tyre?

Pushteti nuk duhet të blihet me heshtje. Shqiptarët meritojnë përfaqësues që flasin kur duhet, jo vetëm kur u leverdis.

Back To Top