Nga Tirana kalon boshti i sigurisë ndërsa Shkupi ende merret me politikën e djeshme.
Në një kohë kur Kontinenti Europian po përjeton tensionet më të mëdha të sigurisë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, kur lufta në Ukrainë ka ndryshuar arkitekturën e mbrojtjes dhe kur kërcënimet hibride, sulmet kibernetike dhe ndikimet gjeopolitike po riformësojnë botën, vendi ku mblidhen liderët e NATO-s nuk zgjidhet rastësisht.
Për javë të tëra u tha se Shqipëria është e izoluar. Se Perëndimi është lodhur me Ramën. Se aleatët nuk e besojnë më. Se NATO nuk do ta legjitimonte kurrë një vend si Shqipëria. Se gjithçka ishte propagandë. Pastaj NATO foli. Me mesazh strategjik. Me vulë besimi.
Mesa duket, Edi Rama paska arritur diçka që shumë ekspertë të rrjeteve sociale e quanin të pamundur: të bindë NATO-n përpara se të bindte komentuesit. Nuk është e lehtë të bindësh NATO-n për një samit. Është shumë më e vështirë të bindësh ata që kanë vendosur të mos shohin.
NATO nuk zgjedh një kryeqytet për t’i bërë qejfin një lideri; zgjedh aty ku sheh besueshmëri, stabilitet, kapacitet institucional dhe një partner që ka fituar respekt në tryezat ku merren vendimet më të rëndësishme të sigurisë globale.
Ky samit është edhe një mesazh për Ballkanin Perëndimor. Ai u kujton të gjithë atyre që ende luhaten mes Perëndimit dhe ndikimeve të tjera se e ardhmja ndërtohet mbi partneritete të forta, institucione demokratike dhe siguri kolektive. NATO nuk investon vetëm aty ku ka interesa; ajo investon aty ku sheh besueshmëri. Nga këtu, NATO nuk vjen në Tiranë për të dekoruar një qeveri.. vjen sepse njeh një shtet. Ky është çasti kur Tirana nuk është thjesht kryeqyteti i Shqipërisë. Për disa ditë, ajo do të jetë kryeqyteti politik i aleancës më të fuqishme të botës.
Ndërkohë që Tirana po përgatitet të presë aleancën më të fuqishme në botë, në Shkup disa ende vazhdojnë ta matin këtë moment me metrin e politikës së ditës dhe sulmeve primitive ndaj Ramës. Në ndërkohë, në tavolinën ku diskutohet siguria dhe e ardhmja strategjike e vendit, nuk kishte asnjë përfaqësues shqiptar. Shqiptarët në këtë qeverisje, nuk janë bartës të linjës strategjike të shtetit. E keqja është se pikërisht ky model politikanësh u servohet ndërkombëtarëve si “kapaciteti shqiptar” në një qeverisje pa kundërpeshë. Për ta, kjo paraqitet si “stabilitet”, por në realitet është një komoditet politik i miratuar nga pozita shqiptare që Kryeministrit i ka dhënë pushtet të pakontestueshëm me alibi multietnike.
Nga ky pushtet, shqiptarët ndihen barktharë dhe me një të ardhme të zymtë!
E sa i përket Shqipërisë, ka një refleks të rrezikshëm të shqiptarit të komoditeteve këtu: t’ia mohojë asaj të drejtën për të fituar, vetëm sepse Rama i sfidon të punojnë për mbrothësinë e shqiptarëve dhe nuk hyn në kornizat e një “stabilokracie” ku disa janë mësuar të jenë të akomoduar.
Shqipëria është shumë më e madhe se çdo politikan, dhe ka nevojë vetëm për një gjë: të kemi pjekurinë ta pranojmë se, ndonjëherë, nuk fiton një emër— fiton Shqipëria.
