Pronarët e bizneseve në Mavrovkë organizojnë rezistencë kundër uzurpimit të hapësirave publike

Pronarët e bizneseve në Qendrën Tregtare Mavrovka janë organizuar sot për të kundërshtuar atë që e konsiderojnë uzurpim të paligjshëm të hapësirave publike brenda kompleksit tregtar.

Sipas tyre, sot kanë nisur aktivitete që prekin hapësirat e përbashkëta të qendrës tregtare, për të cilat pretendojnë se po kryhen pa pëlqimin e pronarëve dhe në kundërshtim me interesat e qindra bizneseve që operojnë në Mavrovkë.

Pronarët paralajmërojnë se do t’u drejtohen gjykatave, institucioneve kompetente dhe organeve inspektuese për të kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të aktiviteteve dhe verifikimin e ligjshmërisë së tyre.

Ata pretendojnë se në këtë proces janë të përfshirë persona të afërt me kryetarin e Komunës së Çairit, duke kërkuar që institucionet të hetojnë çdo dyshim për ndikim politik apo interes privat.

“Bëhet fjalë për hapësira publike dhe të përbashkëta që u takojnë të gjithë pronarëve dhe jo grupeve të caktuara të interesit”, deklaruan përfaqësues të bizneseve.

Sipas informacioneve tona, pronarët po shqyrtojnë edhe forma të tjera të rezistencës qytetare nëse institucionet nuk reagojnë ndaj kërkesave të tyre.

Portali ynë do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet dhe do të publikojë qëndrimet e të gjitha palëve të përfshira në këtë rast.

Back To Top