Shkruan Nafie Slemani:
Parti e djathtë me nënkryetar Qokun e majtë, paradoksi më absurd i VLEN-it
Deklarata e Izet Mexhitit se koalicioni VLEN do të shndërrohet në parti me ideologji të djathtë, ndërkohë që do të ketë dy kryetarë dhe dy nënkryetarë, ku njëri prej tyre do të jetë Bekim Qoku si i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt politik i njohur për orientimin e tij të majtë, është një nga paradokset më të mëdha dhe qesharake që është dëgjuar dhe parë deri më sot në skenën politike shqiptare.
Si mund të ndërtohet një parti e djathtë me nënkryetar që përfaqëson një parti të majtë? Të qeshim a të qajmë? Apo të dyja bashkë?!
Në teori politike, ideologjia nuk është diçka që vendoset sipas rastit apo sipas qejfit momental të dikujt. Majtizmi dhe djathtizmi kanë dallime të qarta dhe thelbësore në mënyrën se si e shohin shtetin, ekonominë dhe organizimin e shoqërisë.
Jo se Bekim Qoku përfaqëson ndonjë majtizëm parimor, kur dihet se ai eshte i njohur si deputeti më i paguar nga taksat e popullit për udhëtime të pabera e të dyshimta, por ajo që është më shqetësuese është fakti se kjo përzierje absurde u shitet qytetarëve si projekt serioz politik.
Miq e dashamirë, shqiptarë të lodhur e stërlodhur nga eksperimentet e pafundme të Vlenit, shikoni mirë se si tallen ata me ne.
Thonë do bëjnë parti të djathtë, por me nënkryetar të njjë partie të majtë. Na thuhet se është projekt politik serioz, por në realitet e kanë hallin vetëm te ndarja e posteve në bazë të përqindjeve. Ndërsa “majtistin” Qoku, s’guxon Izeti e Bilalli ta refuzojnë shkaku i Albin “babës”, jo se e duan, ata e njohin shumë më mirë se ne Qokun.
Në fakt, ideologjia e vetme e VLENit është kush merr çfarë posti dhe kush kënaqet me cilën karrige.
Por një gjë është e sigurtë, ky mashtrim politik dhe tallje e hapur me inteligjencën e shqiptarëve nuk do ju kalon.
